Kelmendi: Shtyrja e Lojërave Olimpike lajm i mirë për mua

Pandemia e koronavirusit ka pezulluar të gjitha aktivitet sportivë në Kosovë, këtu duke përfshirë edhe sportin e xhudos.

Kjo ka ndikuar mjaft shumë edhe në formën e kampiones olimpike, Majlinda Kelmendit, e cila ka qenë e karantinuar së bashku me ekipin olimpik të Kosovës për më shumë se 11 javë, në qendrën stërvitore në qytetin e Pejës.

Kelmendi në një intervistë për KosovaPress, ka përshkruar kohën e karantinës, duke u shprehur se kanë pasur vështirësi të mëdha në ditët e parë, mirëpo më pas janë mësuar duke qëndruar së bashku me trajnerin Driton Kuka dhe pjesën tjetër të ekipit.

“Mund të them se në fillim ka qenë pak e vështirë, por pas disa javësh jemi mësuar, jemi adaptuar. Pjesa më e vështirë ka qenë ajo që nuk e kemi pa familjen, mirëpo sa i përket stërvitjeve kemi ushtruar mjaft mirë, në krahasim me vendet tjerat të cilat nuk kanë munduar me ushtru aspak”, tha Kelmendi.

Covid-19 ishte gjithashtu shkaktari i shterjes për një vit të Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”, nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, mirëpo një vendim të tillë, Kelmendi e cilësoi si një lajm të mirë për të duke parë edhe formën në të cilën ajo është duke kaluar.

“Për mua personalisht ka qenë lajm i mirë duke e marrë parasysh që kam pas probleme me disa lëndime kohëve të fundit dhe po mendoj që kam kohë të përgatitemi më mirë”, deklaroi ajo.

Kelmendi gjithashtu u shpreh se i kanë munguar shumë garat, si asaj, ashtu edhe pjesës tjetër të ekipit, ndërsa për të ardhmen potencoi se nga ajo duhet të priten vetë suksese të mëdha, e sidomos në Lojëra Olimpike, atje ku edhe synon medaljen e dytë të artë në karrierën e saj.

“Mos me rrejt kam pasur shumë stres këto kohët e fundit dhe kam pasur nevojë që të pushoj. Këtë e kam vërejtur gjatë karantinës. Tash ia ka nis me më munguar por gjatë këtyre tre muajve s’mund të them se më kanë munguar shumë, se thjesht kam pushuar, jam relaksuar dhe e kam pas jetën ashtu komplet pa stres dhe tanimë kam filluar të ndjej mungesën… Po unë po vazhdoj me punu, me ushtru shumë seriozisht dhe po mendoj që duhet të presim vetëm suksese”, përfundoi Kelmendi.

Kujtojmë që Majlinda Kelmendi së bashku me trajnerin e saj, Driton Kuka kanë qenë shumë të zëshëm në kërkesën e tyre për lirimin e masave, sidomos për sportistët të cilët është dashur ta mbanin formën e tyre në nivel të lartë me stërvitje jo të zakonshme gjatë pandemisë së koronavirusit.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

code

Translate »