Bruce Lee dhe Kareem Abdul-Jabbar: Miqësia që çoi në skenën legjendare filmike

Bruce Lee dhe Kareem Abdul-Jabbar

Bruce Lee ka qenë një prej yjeve të famshme të filmit në vitet e gjashtëdhjeta dhe shtatëdhjeta dhe një aplikues i njohur i arteve marciale. Ai vdiq papritur në vitin 1973, mirëpo statusi ikonik i tij jeton edhe në ditët e sotme.

Kareem Abdul-Jabbar ishte një yll i NBA me Milwaukee Bucks asokohe, ndërsa lidhja e tij me ikonën filloi para se të bëhej basketbollist profesionist.

“Për herë të parë u takova me Lee kur isha student në UCLA (Universitetin e Kalifornisë) dhe isha në kërkim që të vazhdoja studimet e mia të arteve marciale që i kisha nisur në qytetin e New Yorkut. Shumë shpejtë krijuam miqësi si edhe raportin student-arsimtar. Ai ma mësoi disiplinën dhe spiritualitetin e arteve marciale që ka ndikuar jashtëzakonisht shumë që unë të jem mjaft konkurrent në NBA për 20 vite me shumë pak lëndime”, ka deklaruar Abdul-Jabbar.

73-vjeçari i udhëhoqi Milwaukee Bucks drejt titullit të NBA në vitin 1971, ndërsa në të njëjtën periudhë Lee ishte bërë i famshëm në Hollywood. Ai u shfaq në 26 episode në serialin “The Green Hornet”, mirëpo karriera e tij filmike në Shtetet e Bashkuara nisi në filmat e tillë, si “Marlowe” (1969), “The Big Boss” (1971), “Fist of Fury” (1972) e “The Way of the Dragon” (1972).

Bruce Lee dhe Kareem Abdul-Jabbar

Bruce nisi punën si regjisor në filmin “Game of Death”, në të cilin ka një rol negativ edhe Abdul-Jabbar, si njëri prej kundërshtarëve të protagonistit kryesor. Lee vdiq para publikimit të filmit, ndërkohë që ai kishte nisur xhirimet edhe në “Enter the Dragon”, por vdiq gjatë produksionit të tij.

“Game of Death” nuk ishte kompletuar deri në vitin 1978. Në atë kohë, Abdul-Jabbar ishte në sezonin e tij të katërt me Los Angeles Lakers.

Skena ndërmjet aktorit dhe basketbollistit në “Game of Death” është fantastike. Lee ishte i gjatë 1.72 metra, kurse Abdul-Jabbar 2.18 metra, prandaj dueli mes tyre është mjaft interesant. Skenën e plotë mund ta shikoni në videon e mëposhtme. /Telegrafi/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

code

Translate »